Raportime mediatike kanë ngritur pretendime për tensione gjatë një mbledhjeje të kryesisë së Partisë Socialiste, të zhvilluar para seancës parlamentare ku u votua për kërkesën e SPAK lidhur me deputeten Belinda Balluku.
Sipas këtyre raportimeve, kryeministri Edi Rama ka përdorur tone të ashpra ndaj disa anëtarëve të kryesisë dhe deputetëve, duke kërkuar mbështetje të plotë në votimin që do të zhvillohej në Kuvend.
Në artikullin e publikuar nga media që e raportoi ngjarjen, thuhet se gjatë mbledhjes janë përdorur fraza si: “Ju jeni askushi dhe këtu ku jeni jeni prej meje”, “Unë ju mbaj në pushtet prej katër mandatesh” dhe “Po të iki unë, PS shkon për lesh”.
Po sipas të njëjtit raportim, kryeministri u ka bërë presion anëtarëve të kryesisë që të mos votonin kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut.
Burime anonime të cituara në media pretendojnë se atmosfera në mbledhje ka qenë e tensionuar dhe se disa prej të pranishmëve janë ndjerë të surprizuar nga mënyra e komunikimit.
Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga Partia Socialiste apo nga vetë kryeministri Rama.
Në seancën plenare të një dite më parë, mazhoranca socialiste rrëzoi me 82 vota kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të deputetes Belinda Balluku.
