Ish-zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj, ka reaguar me tone kritike dhe ironike ndaj kryeministrit Edi Rama dhe mënyrës se si, sipas saj, funksionon pushteti brenda Partisë Socialiste.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Beqiraj shkruan se në strukturat e partisë ka individë të caktuar që mbajnë realisht pushtetin, ndërsa lideri formal shfaqet më shumë si simbol politik.
Në reagimin e saj ajo citon fraza që, sipas saj, janë dëgjuar brenda strukturave të larta të partisë, si: “Ju jeni askushi dhe këtu ku jeni jeni prej meje”, “Unë ju mbaj në pushtet prej katër mandatesh” dhe “Po të iki unë, PS shkon për lesh”.
Sipas Beqirajt, Partia Socialiste është shndërruar në një turmë pa pikëpamje të qarta politike, ku mekanizmat e pushtetit kontrollohen nga individë të caktuar.
Ajo lë të kuptohet se figura të caktuara brenda strukturave të partisë kanë rol kyç në menaxhimin e pushtetit politik.
Reagimi i saj vjen në një moment kur debatet politike në vend janë intensifikuar, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në Kuvend dhe polemikave mes mazhorancës dhe opozitës.
