Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar pas sulmit kibernetik ndaj sistemit të brendshëm të Kuvendit të Shqipërisë, duke e dënuar atë si një veprim dashakeq kundër një aleati të NATO-s.
Në një deklaratë për mediat, Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur se është në dijeni të incidentit dhe se po bashkëpunon me autoritetet shqiptare për të forcuar sigurinë kibernetike.
Sipas reagimit zyrtar, SHBA po e ndihmon në mënyrë aktive Shqipërinë për t’u përballur me kërcënimet kibernetike dhe për të rritur mbrojtjen e sistemeve të saj digjitale.
“Shtetet e Bashkuara janë të vetëdijshme dhe dënojnë aktivitetet kibernetike dashakeqe kundër aleatit tonë të NATO-s, Shqipërisë. Ne po e ndihmojmë në mënyrë aktive Shqipërinë në sigurinë kibernetike”, thuhet në deklaratë.
Departamenti i Shtetit thekson gjithashtu se si aleatë në NATO, SHBA dhe Shqipëria koordinojnë vazhdimisht shqetësimet e përbashkëta të sigurisë dhe mbeten vigjilentë për të garantuar sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe shqiptarë.
Reagimi i Uashingtonit vjen pasi sistemi i brendshëm i Kuvendit u godit nga një sulm kibernetik, për të cilin përgjegjësinë e mori grupi i hakerave “Homeland Justice”. Ky grup publikoi në rrjetin Telegram të dhëna që dyshohet se janë marrë nga sistemi i brendshëm i parlamentit, përfshirë emaile dhe informacione të përdoruesve të domain-it parlament.al.
Gjithashtu u publikua edhe një video që sipas tyre tregon fshirjen e të dhënave nga serverët e Kuvendit. Vetë institucioni i Parlamentit pranoi më herët se sistemi i tij i brendshëm ishte cenuar dhe se një pjesë e të dhënave ishte fshirë.
