Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, Ali Bahreini, deklaroi se Irani nuk ka në plan të bllokojë Ngushticën e Hormuzit, duke kundërshtuar deklaratat e fundit që kanë ngritur shqetësime për sigurinë në rajon.
Në një intervistë për Euronews, Bahreini theksoi se Teherani nuk synon të ndërmarrë një veprim të tillë, ndërsa shtoi se tensionet aktuale në zonë janë pasojë e luftës që po zhvillohet në rajon.
“Irani nuk ka asnjë qëllim të bllokojë Ngushticën e Hormuzit. Çfarëdo situate nga e cila po vuan rajoni është rezultat i luftës së imponuar në këtë zonë. Aktualisht ka shkëmbim zjarri rreth Ngushticës së Hormuzit”, u shpreh ai.
Deklarata e ambasadorit vjen vetëm disa orë përpara publikimit të mesazhit të parë të Ajatollahut të sapozgjedhur Mojtaba Khamenei, i cili sipas mediave iraniane kishte paralajmëruar mundësinë e mbylljes së ngushticës për të ushtruar presion ndaj kundërshtarëve të Iranit.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe çdo tension në këtë zonë ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale të energjisë.
