Festimet për Ditën e Verës në Tiranë do të sjellin kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit. Sipas njoftimit të Bashkisë së Tiranës, devijimi i trafikut do të nisë nga ora 12:00 e datës 13 mars dhe do të zgjasë deri në orët e para të 15 marsit.
Aktivitetet festive do të fillojnë që në orët e para të 14 marsit dhe do të zgjasin deri pas mesnate, ndërsa autoritetet kanë marrë masa për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e festimeve.
Nga data 13 mars, ora 22:00, deri më 14 mars, ora 18:00 do të kufizohet qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e Ministrisë së Brendshme deri në fillim të sheshit “Nënë Tereza”, në disa segmente të njëpasnjëshme të bulevardit.
Ndërkohë, nga data 13 mars, ora 12:00, deri më 15 mars, ora 02:00 do të ketë kufizime edhe në:
- Rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri te kryqëzimi me rrugën “Brigada VIII”;
- Rrugën “Pjetër Bogdani”, nga kryqëzimi me rrugën “Sami Frashëri” deri te kryqëzimi me rrugën “Gjin Bue Shpata”.
Për të lehtësuar qarkullimin, mjetet do të orientohen drejt rrugëve alternative si “Lek Dukagjini”, “Abdyl Frashëri”, “Papa Gjon Pali II”, “Sami Frashëri”, si dhe bulevardet “Zhan D’Ark” dhe “Bajram Curri”.
Gjithashtu, edhe disa linja të transportit urban do të devijohen përkohësisht gjatë zhvillimit të aktiviteteve festive.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin këto akse gjatë orareve të përcaktuara dhe të përdorin rrugë alternative për të shmangur trafikun gjatë festimeve.
