Balliu: Rama s’e lëshon Ballukun sepse është firmëtari i aferës, sot është kthyer në kërcënim për Shqipërinë

Data

Deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Klevis Balliu, reagoi pas vendimit të Kuvendit për të rrëzuar kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të deputetes socialiste Belinda Balluku.

Nga selia blu, Balliu deklaroi se vendimi ishte i pritshëm dhe akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama se qëndron pas mbrojtjes politike të ish-zëvendëskryeministres.

Sipas tij, Rama është i detyruar ta mbrojë Ballukun, pasi ai vetë është i përfshirë në aferën për të cilën ajo po hetohet.

“Edi Rama nuk e lëshon dot Belinda Ballukun, jo nga dashuria, por sepse është ai firmëtari dhe drejtuesi i vërtetë i kësaj afere korruptive dhe si rrjedhojë është i detyruar sot ta mbrojë”, u shpreh Balliu.

Deputeti demokrat shtoi se tashmë, sipas tij, nuk bëhet më fjalë për një çështje që lidhet vetëm me Ballukun, por për një çështje që lidhet drejtpërdrejt me kryeministrin.

“Belinda Balluku e ka lidhur prej fyti kryeministrin Rama dhe sot ai punon për të. Nuk ka më çështje Balluku, tani ka çështje Rama,” tha ai.

Balliu kritikoi gjithashtu atë që e cilësoi standard të dyfishtë të qeverisë, duke thënë se për qytetarët kërkohen masa të ashpra për shkelje të vogla, ndërsa për korrupsionin, sipas tij, kërkohet mbrojtje politike.

Në reagimin e tij, ai përmendi edhe deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, duke thënë se ato tregojnë se veprimet e qeverisë po e largojnë Shqipërinë nga rruga e integrimit europian.

Sipas Balliut, opozita do të intensifikojë aksionin politik dhe do të zhvillojë takime me partnerët ndërkombëtarë në ditët në vijim. Ai shtoi se, sipas tij, kryeministri Rama nuk është më vetëm një problem politik për opozitën, por një kërcënim për të ardhmen e vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related