Autoritetet ndërkombëtare po luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sipas raportit vjetor të SPAK për vitin 2025, gjatë këtij viti janë transmetuar tre referime penale nga autoritetet e huaja, konkretisht dy nga Belgjika dhe një nga Franca. Në raport nuk jepen detaje për çështjet konkrete, por këto vende kanë qenë ndër burimet kryesore të të dhënave nga përgjimet e platformës së komunikimit të koduar Sky ECC.
Prokuroria e Posaçme ka bërë të ditur se bashkëpunimi me agjencitë ndërkombëtare përfshin shkëmbimin e informacionit, sigurimin e provave dhe analizimin e të dhënave të ardhura nga hetimet e përbashkëta.
SPAK mbështetet gjithashtu nga programe të Shteteve të Bashkuara, si OPDAT dhe ICITAP, të cilat ofrojnë asistencë ligjore, trajnime dhe pajisje teknologjike për prokurorët dhe strukturat e hetimit.
Misioni OPDAT është përfshirë në trajnimin e prokurorëve, gjyqtarëve dhe oficerëve të policisë, si dhe në përmirësimin e legjislacionit të drejtësisë kriminale. Ndërkohë programi ICITAP ka ndihmuar në zhvillimin e kapaciteteve të hetimit financiar dhe në mbështetjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në mbështetje të reformës në drejtësi kontribuon edhe projekti i Bashkimit Evropian EU4LEA, i cili synon përmirësimin e performancës së institucioneve shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë zhvilluar gjithashtu 49 trajnime dhe takime ndërkombëtare për prokurorët shqiptarë, ndërsa SPAK ka nënshkruar edhe gjashtë marrëveshje bashkëpunimi me prokuroritë e disa vendeve të Amerikës Latine për forcimin e bashkëpunimit në hetimet ndërkombëtare.
