Parlamenti Evropian ka miratuar një raport të ri ku theksohet se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të konsiderohet një strategji gjeopolitike për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit.
Sipas eurodeputetëve, zgjerimi i BE-së është një përgjigje ndaj realitetit të ri gjeopolitik dhe një investim i rëndësishëm për të shmangur krijimin e zonave gri që mund të ndikohen nga aktorë të jashtëm.
Në raport theksohet se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë vendosur objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në fund të viteve 2026 dhe 2027. Për këtë arsye, eurodeputetët i bëjnë thirrje Këshillit të BE-së të heqë pengesat që mund të ekzistojnë nga ana e unionit për avancimin e procesit.
Megjithatë, raporti thekson se procesi i anëtarësimit duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe i kthyeshëm, duke kërkuar që vendet kandidate të vazhdojnë reformat në fusha kyçe si sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, liria e medias dhe respektimi i të drejtave të pakicave.
Raportuesi në Parlamentin Evropian, Petras Austrevicius, theksoi se nuk duhet të ketë rrugë të shkurtra për vlerat dhe parimet themelore të Bashkimit Evropian.
Eurodeputetët kërkojnë gjithashtu monitorim të përforcuar të reformave në vendet kandidate, si dhe mbështetje më të madhe për shoqërinë civile dhe organizatat që promovojnë vlerat evropiane.
Raporti u miratua me 385 vota pro, 147 kundër dhe 98 abstenime, ndërsa Parlamenti Evropian kërkon që në buxhetin e ardhshëm të BE-së të parashikohen fonde të mjaftueshme për mbështetjen e vendeve në procesin e para-anëtarësimit.
