Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila vlerësoi se mbyllja e platformës TikTok nga qeveria cenoi lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit.
AGSH, së bashku me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN Albania), kishin paraqitur kërkesën në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të Këshillit të Ministrave për bllokimin e përkohshëm të platformës.
Në reagimin e saj, organizata thekson se Gjykata Kushtetuese e pranoi pjesërisht kërkesën, duke konstatuar se zbatimi i vendimit të qeverisë për kufizimin e aksesit në TikTok solli cenim të lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta.
Sipas AGSH, ndërprerja e aksesit në një platformë komunikimi publik përbën kufizim të lirisë së shprehjes dhe të informimit, ndërsa gjykata ka vlerësuar se masa e ndërmarrë nuk përmbushte kriterin e proporcionalitetit.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se masat për bllokimin e TikTok kanë sjellë cenim të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së shtypit”, thuhet në reagimin e organizatës.
AGSH e cilësoi vendimin si një zhvillim të rëndësishëm për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, pluralizmit të informacionit dhe standardeve demokratike në vend.
Organizata theksoi gjithashtu se nisma për ta çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese nuk kishte si qëllim mbrojtjen e një platforme të caktuar, por mbrojtjen e parimit kushtetues të lirisë së shprehjes dhe të drejtës për informim, të cilat konsiderohen shtylla themelore të demokracisë dhe të punës së gazetarëve.
