Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për pezullimin e TikTok është pasqyruar edhe në mediat ndërkombëtare, të cilat theksojnë se gjykata ka vlerësuar se masa e qeverisë cenoi lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit.
Sipas raportimeve të një mediaje belge, vendimi i Gjykatës Kushtetuese u mor pas një ankese të paraqitur nga Shoqata e Gazetarëve Shqiptarë dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN), të cilët kundërshtuan ndalimin e përkohshëm të platformës.
Qeveria shqiptare kishte miratuar më herët një vendim për pezullimin e TikTok, duke argumentuar se masa synonte të parandalonte efektet e dëmshme të platformës në shoqëri. Vendimi erdhi pas një ngjarjeje tragjike ku një adoleshent humbi jetën pas një konflikti mes nxënësish që kishte nisur në rrjetet sociale.
Megjithatë, ndalimi i platformës shkaktoi debat të gjerë në vend, ndërsa organizatat e gazetarëve e konsideruan atë një precedent të rrezikshëm për lirinë e shprehjes.
Kreu i Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë, Isa Myzyraj, deklaroi se organizata vendosi ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese për të mbrojtur një parim themelor demokratik.
Sipas tij, shteti nuk mund të kufizojë komunikimin publik pa një bazë të qartë ligjore dhe pa respektuar standardet kushtetuese të proporcionalitetit.
Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese konstatoi se pezullimi i TikTok përbënte ndërhyrje në lirinë e shprehjes dhe në lirinë e medias, të drejta të garantuara nga Kushtetuta.
