Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së opozitës që do të zhvillohet nesër përpara Kuvendit të Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi protestën si një moment të rëndësishëm në përballjen politike me qeverinë.
Ai u shpreh se opozita është “leva e Arkimedit” për largimin nga pushteti të kryeministrit Edi Rama dhe theksoi se protesta do të shënojë një etapë të re në kundërshtimin ndaj qeverisë.
Sipas Berishës, protesta e paralajmëruar nga opozita synon të shprehë pakënaqësinë e qytetarëve ndaj politikave të qeverisë dhe situatës politike në vend.
Tubimi është planifikuar të zhvillohet në orën 10:00 përpara Parlamentit, në të njëjtën kohë me nisjen e seancës plenare në Kuvend.
