Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, nis gjykimi për dy të pandehurit në GJKKO

Data

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është zhvilluar këtë të mërkurë seanca gjyqësore në ngarkim të të pandehurve Bledar Polovina dhe Amar Shkëmbi, të akuzuar për atentatin në Mbikalimin e Shkozetit.

Në këtë ngjarje mbeti i plagosur ish-prokurori Arjan Ndoja, ndërsa humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku.

Gjatë seancës, avokati i Amar Shkëmbit kërkoi nga gjykata që të merret në konsideratë gjendja shëndetësore e klientit të tij, duke pretenduar se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe se duhet të verifikohet përgjegjshmëria e tij për pjesëmarrjen në proces.

Sipas mbrojtjes, janë paraqitur edhe dokumente mjekësore që tregojnë trajtimet që i pandehuri ka marrë në spitalin e burgut dhe në institucione të tjera shëndetësore.

Nga ana tjetër, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, u shpreh se dokumentacioni i paraqitur nuk mund të vlerësohet nga gjykata pa u shqyrtuar nga ekspertë të mjekësisë ligjore.

Gjykata nuk e mori në konsideratë kërkesën e avokatit për momentin, duke theksuar se i pandehuri ka qenë i pranishëm në seancat e mëparshme.

Ndërkohë, avokati i Bledar Polovinës kërkoi që klienti i tij të gjykohet me procedurë të shkurtuar, ndërsa mbrojtësi i Amar Shkëmbit kërkoi papërdorshmërinë e disa procesverbaleve.

Gjykata pranoi kërkesën për kohë shtesë për formalizimin e kërkesave me shkrim dhe vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 2 prill në orën 09:00.

Çështja do të shqyrtohet nga trupi gjykues i përbërë nga kryesuesi Paulin Çera dhe anëtarët Atalanta Zeqiraj dhe Besmir Stroka.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related