Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e OSHEE Group, ka nisur zbatimin e një skeme të re lehtësuese për shlyerjen me këste të detyrimeve të prapambetura nga faturat e energjisë elektrike.
Skema përfshin të gjitha kategoritë e klientëve dhe ka për qëllim të ndihmojë qytetarët dhe bizneset në shlyerjen e borxheve të krijuara deri më 31 dhjetor 2024.
Sipas njoftimit zyrtar, familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë mund të lidhin marrëveshje për pagesë me këste mujore që nisin nga 1200 lekë, me kusht që të mos krijojnë detyrime të reja për vitin 2026.
Ndërkohë, klientët e tjerë familjarë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste që nisin nga 2800 lekë në muaj për faturat e krijuara deri në fund të vitit 2024, duke respektuar kushtin që të mos kenë borxhe të reja për periudhën 2025–2026.
Sipas OSHEE Group, numri maksimal i kësteve mund të arrijë deri në 240, ndërsa klientët kanë mundësi të zgjedhin një këst më të lartë për të përfunduar më shpejt shlyerjen e detyrimit.
Në këtë skemë përfshihen edhe institucionet buxhetore dhe jo-buxhetore, ku numri i kësteve përcaktohet sipas vlerës së detyrimit. Për detyrime nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë parashikohen deri në 24 këste, ndërsa për detyrime mbi 10 milionë lekë deri në 120 këste.
OSHEE ka parashikuar gjithashtu ulje të kamatëvonesave për klientët që zgjedhin të shlyejnë menjëherë detyrimet. Klientët familjarë përfitojnë ulje prej 70%, klientët jofamiljarë 50%, ndërsa biznesi i vogël përfiton falje të plotë të kamatëvonesës nëse e paguan menjëherë borxhin.
Për të përfituar nga skema, klientët duhet të kenë shlyer fillimisht detyrimet e krijuara gjatë vitit 2025 dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes kësti i parë duhet të paguhet brenda shtatë ditëve. Pagesat më pas vijojnë çdo muaj deri në shlyerjen e plotë të detyrimit.
