Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se konflikti me Iranin do të përfundojë vetëm kur Teherani të dorëzohet plotësisht dhe pa kushte.
Deklarata u bë nga sekretarja e shtypit e presidentit amerikan Donald Trump, Karoline Leavitt, gjatë një komunikimi me gazetarët.
Sipas saj, operacioni ushtarak kundër Iranit ishte planifikuar fillimisht të zgjaste nga katër deri në gjashtë javë, me qëllim shkatërrimin e kapaciteteve raketore dhe detare të Iranit, eliminimin e programeve bërthamore dhe goditjen e aleatëve të tij në rajon.
Leavitt theksoi se operacioni aktualisht po zhvillohet më shpejt nga sa ishte parashikuar fillimisht, duke përsëritur deklaratat e bëra një ditë më parë nga presidenti Donald Trump.
Megjithatë, ajo nënvizoi se konflikti nuk do të përfundojë deri në “dorëzimin e plotë dhe të pakushtëzuar të Iranit”.
Sipas saj, presidenti amerikan do të jetë ai që do të përcaktojë momentin kur Irani nuk do të përbëjë më një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë ndërkombëtare.
