Çështja që lidhet me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku po ndiqet me interes të lartë publik.
E ftuar në një studio televizive, avokatja Denisa Alliu u shpreh se rasti duhet analizuar me kujdes nga pikëpamja juridike dhe institucionale.
Sipas saj, roli i SPAK në hetimin e korrupsionit në nivele të larta është shumë i rëndësishëm, por çdo kërkesë për masa të rënda sigurie duhet të mbështetet në prova dhe argumente të qarta ligjore.
“Imuniteti duhet parë si një mbrojtje institucionale për deputetët, jo si një privilegj personal për t’iu shmangur drejtësisë,” u shpreh Alliu.
Ajo theksoi se masa e arrestit me burg është masa më e rëndë e sigurisë dhe për këtë arsye kërkon hetime të plota dhe analiza të mirëargumentuara nga organet e drejtësisë.
Sipas saj, masa e sigurimit personal vendoset duke marrë parasysh disa faktorë, si rreziku i ndikimit në prova, presioni ndaj dëshmitarëve apo mundësia e largimit nga hetimi.
Avokatja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit institucional mes SPAK dhe Kuvendit për një proces të rregullt ligjor, duke shtuar se hetimet mund të vazhdojnë edhe pa vendosjen e një mase sigurie.
“Fajësinë ose pafajësinë e përcakton vetëm gjykata me një vendim të formës së prerë,” përfundoi ajo.
Sipas Alliu, transparenca dhe respektimi i procedurave janë thelbësore për ruajtjen e besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë, ndërsa mënyra se si do të trajtohet kjo çështje mund të krijojë edhe precedent për raste të ngjashme në të ardhmen.
