Pronari i MCN TV, Endri Meksi, ka kallëzuar në polici se është kërcënuar me jetë nga persona të armatosur pranë ambienteve të televizionit.
Sipas dëshmisë së tij, ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes të së dielës, kur tre persona të maskuar, të armatosur dhe të pajisur edhe me shkopinj bejsbolli, i kanë dalë përpara pranë godinës së televizionit.
Meksi ka deklaruar në kallëzim se personat lëviznin me një automjet tip Audi të bardhë dhe pasi kanë zbritur nga mjeti e kanë kërcënuar me jetë.
Pas denoncimit, Policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve. Hetuesit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë nga bizneset përreth dhe nga vetë televizioni.
Nga verifikimi paraprak i pamjeve rezulton se automjeti Audi i bardhë është larguar me shpejtësi nga zona në drejtim të Saukut. Policia po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë ngjarje.
