Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka folur për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Moskës, duke pranuar se ato janë ftohur ndjeshëm për shkak të zhvillimeve të fundit gjeopolitike dhe çështjeve energjetike.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”, Vuçiç deklaroi se Serbia është përballur me presione dhe tensione gjatë negociatave për strukturën e pronësisë së kompanisë së naftës NIS, shumica e së cilës është në pronësi të kompanisë ruse Gazprom.
Sipas tij, gjatë këtyre negociatave pati edhe kërcënime nga Rusia për ndalimin e furnizimit me gaz, ndërsa disa media ruse e kritikuan ashpër politikën e Beogradit. Megjithatë, Vuçiç theksoi se Serbia ishte e detyruar të mbrojë interesat e saj kombëtare.
Presidenti serb konfirmoi gjithashtu se një pjesë e municioneve të prodhuara në Serbi kanë përfunduar në Ukrainë përmes ndërmjetësve ndërkombëtarë, fakt që sipas tij i është bërë i ditur edhe presidentit rus Vladimir Putin gjatë një takimi në Pekin.
Në intervistë, Vuçiç foli edhe për situatën energjetike dhe rritjen e çmimeve të naftës dhe gazit, duke theksuar se Serbia po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike për shkak të krizave ndërkombëtare.
Ai shtoi se vendi i tij po investon në zhvillimin e infrastrukturës energjetike dhe po bashkëpunon me Bashkimin Evropian për ndërtimin e tubacioneve të reja deri në vitin 2035.
Në të njëjtën kohë, Vuçiç kritikoi edhe politikën e SHBA-së ndaj Kosovës, duke thënë se kishte pritur një qëndrim më të ashpër ndaj qeverisë së Albin Kurtit.
