Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me vendet e Bashkimit Evropian për të garantuar furnizime të qëndrueshme me naftë dhe gaz, në një moment kur tregjet energjetike po përballen me tensione të mëdha.
Deklarata u bë gjatë një mbledhjeje të zhvilluar për situatën në tregun e energjisë, ndërsa çmimet e naftës kanë pësuar rritje në kontekstin e krizës së krijuar nga lufta në Lindjen e Mesme.
Sipas Putinit, Moska ka kapacitetet për t’u siguruar vendeve të Bashkimit Evropian furnizimet e nevojshme me energji, por për këtë kërkohet një sinjal i qartë nga vetë vendet evropiane për bashkëpunim.
Ai theksoi gjithashtu se Rusia ka paralajmëruar prej kohësh për rreziqet që mund të krijohen për sektorin energjetik global si pasojë e destabilizimit të situatës në Lindjen e Mesme.
Deklaratat e presidentit rus vijnë në një kohë kur tregjet ndërkombëtare të energjisë po përballen me pasiguri dhe luhatje të çmimeve, ndërsa vendet evropiane vazhdojnë të kërkojnë alternativa për furnizimin me energji.
