Policia e Tiranës ka proceduar penalisht kryetarin e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, si dhe dy anëtarë të tjerë të kësaj lëvizjeje, pas përplasjes së ndodhur me efektivët e policisë para godinës së Kryeministrisë.
Sipas policisë, incidenti ndodhi pasi ata tentuan të vendosnin sërish çadra në zonën përpara Kryeministrisë. Pas ndërhyrjes së policisë, materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.
Autoritetet bëjnë me dije se ndaj shtetasve A. L., E. H. dhe A. B. ka nisur procedimi penal për veprat penale “Pushtimi i tokës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Ndërkohë, një shtetas tjetër, M. P., është proceduar pasi nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të policisë gjatë kryerjes së detyrës.
Policia njoftoi gjithashtu se ndaj shtetasit A. L. ka nisur një procedim tjetër penal, pasi dyshohet se ka goditur me grushte një person tjetër gjatë incidentit.
Materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë e Tiranës, e cila do të vijojë me hetimet për sqarimin e plotë të ngjarjes.
