Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër pas vendimit të shumicës socialiste për të mos mbështetur kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në një reagim në rrjetet sociale, Këlliçi akuzoi kryeministrin Edi Rama për abuzim me pushtetin dhe për pengim të drejtësisë, duke thënë se vendimi për të ruajtur imunitetin e Ballukut është një sfidë ndaj institucioneve të drejtësisë dhe integrimit europian të vendit.
Sipas tij, me këtë vendim Shqipëria nuk e ka kaluar atë që ai e cilësoi si “test kritik” përballë Bashkimit Europian.
“Edi Rama vendosi të ruajë imunitetin përballë drejtësisë me forcën e kartonave në Kuvend. Me këtë vendim ai u tha shqiptarëve se është mbi ligjin,” u shpreh Këlliçi.
Deputeti i opozitës e cilësoi vendimin si një akt politik që, sipas tij, synon të mbrojë aferat korruptive dhe bashkëpunëtorët e kryeministrit.
Në reagimin e tij, Këlliçi bëri gjithashtu thirrje për mobilizim qytetar më 12 mars, duke ftuar qytetarët të protestojnë përpara Kuvendit kundër vendimit të shumicës parlamentare.
Debati për çështjen e Ballukut ka rritur tensionet politike në vend, ndërsa pritet që tema të vijojë të jetë në qendër të diskutimeve në Kuvend dhe në opinionin publik në ditët në vijim.
