Partia Socialiste ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Vendimi është bërë i ditur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të socialistëve, ku u prezantua raporti i përgatitur nga anëtarët e PS në Këshillin e Mandateve.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, deklaroi se sipas vlerësimit të shumicës parlamentare nuk ka baza për të dhënë autorizimin për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj Ballukut.
“Nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit të Belinda Ballukut,” u shpreh Manja gjatë prezantimit të raportit.
SPAK kishte kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë në kuadër të hetimeve për disa projekte infrastrukturore.
Çështja pritet të diskutohet edhe në seancën plenare, ku deputetët do të duhet të shprehen përfundimisht për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
