Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka nisur sot seanca në themel për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Përmes një deklarate ai ka bërë të ditur se nuk është paraqitur me arsyetimin se nuk është zhvilluar seancë paraprake.
Trupa gjyqësore që po shqyrton çështjen përbëhet nga gjyqtaret Engjëllushe Tahiri, Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj, ndërsa në seancë është i pranishëm prokurori i çështjes, Ols Dado.
Kryebashkiaku i Tiranës u arrestua më 10 shkurt, pasi akuzohet nga SPAK se, së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, kanë ndërtuar një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash për përfitime të paligjshme nga fondet e Bashkisë së Tiranës dhe nga kontraktorë të saj.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, përmes një rrjeti kompanish dhe organizatash jofitimprurëse, çifti dyshohet se ka përfituar rreth 1 milion euro, të cilat sipas hetimeve janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet.
Ndaj Veliajt janë ngritur gjithsej 13 akuza, mes të cilave korrupsion pasiv, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie.
Kryebashkiaku i Tiranës ka kërkuar disa herë ndryshimin e masës së sigurisë, por kërkesat e tij janë rrëzuar nga gjykatat. Ai i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, e cila ka pranuar të shqyrtojë kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë.
