Sekretariati i Etikës në Kuvend pritet të mblidhet këtë të hënë për të shqyrtuar kërkesat e paraqitura nga mazhoranca dhe opozita për përjashtimin e tre deputetëve pas tensioneve dhe gjuhës fyese në seancën plenare të javës së kaluar.
Kërkesat lidhen me deputetët Taulant Balla, Klevis Balliu dhe Gazment Bardhi, të cilët u përfshinë në një debat të ashpër gjatë seancës parlamentare.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar përjashtimin për 60 ditë të Taulant Ballës, pas deklaratave të tij ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin për 10 ditë të Gazment Bardhit, për përdorim të gjuhës së papranueshme në sallën e Kuvendit.
Gjithashtu, mazhoranca kërkon përjashtimin për 30 ditë të Klevis Balliut, pasi sipas tyre ai tentoi të godiste kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste gjatë debatit.
Vendimi për masat disiplinore pritet të merret pas shqyrtimit të kërkesave dhe rregullores së Kuvendit nga Sekretariati i Etikës.
