Avokati i Popullit i Shqipërisë dhe Presidenti i Rrjetit të Avokatëve të Popullit të Mesdheut (AOM), Endrit Shabani, zhvilloi një takim zyrtar me Avokaten e Popullit të Bashkimit Evropian, Teresa Anjinho.
Takimi u përqendrua në mbikëqyrjen e institucioneve, transparencën në përdorimin e fondeve europiane dhe forcimin e standardeve të llogaridhënies publike.
Gjatë bisedimeve, palët diskutuan për rëndësinë e kontrollit të mënyrës se si përdoren fondet e Bashkimit Evropian dhe për nevojën e rritjes së transparencës në administratën publike.
Teresa Anjinho mori drejtimin e institucionit europian pas një karriere të gjatë në jetën politike dhe institucionale në Portugali, ku ka shërbyer si deputete dhe Sekretare Shteti, si dhe si anëtare e Komitetit Mbikëqyrës të OLAF, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit.
Në fjalën e tij, Shabani theksoi se respektimi i standardeve të Bashkimit Evropian në administrimin publik duhet të jetë një prioritet për Shqipërinë.
“Garantimi i standardeve të BE-së në administrimin publik nuk është vetëm një mision për të ardhmen kur Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së, por një detyrim për t’u bërë realitet sa më parë,” u shpreh ai.
Sipas Avokatit të Popullit, bashkëpunimi me institucionet europiane synon të forcojë transparencën, kontrollin institucional dhe standardet e mirëadministrimit, duke afruar më tej Shqipërinë me praktikat e Bashkimit Evropian.
