Edhe pse Tirana konsiderohet qyteti me trafikun më të rënduar në vend, ajo nuk kryeson për numrin e automjeteve në raport me popullsinë. Të dhënat e përpunuara nga revista Monitor, bazuar në statistikat e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor dhe Censit 2023 të INSTAT, tregojnë se qyteti me më shumë makina për banorë është Saranda.
Qyteti bregdetar me rreth 22.6 mijë banorë ka të regjistruara 16.2 mijë automjete, ose 716 mjete për çdo 1000 banorë, një nivel rreth 61% më i lartë se mesatarja kombëtare.
Në vend të dytë renditet Durrësi, me 584 automjete për 1000 banorë, ndërsa vendi i tretë i takon Kurbinit me 557 mjete për 1000 banorë. Pas tyre vjen Vlora, me 551 mjete për 1000 banorë.
Tirana, megjithëse përballet me trafik të rënduar çdo ditë, renditet vetëm në vendin e pestë, me 533 automjete për 1000 banorë, që do të thotë se afërsisht një automjet ka për çdo dy banorë.
Numri i automjeteve në Shqipëri është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Në vitin 2025, për herë të parë u kalua shifra e 1 milion mjeteve të regjistruara, nga të cilat mbi 80% janë autovetura.
Megjithatë, në raport me popullsinë, Shqipëria mbetet ende poshtë mesatares europiane. Në vend ka rreth 443 mjete për 1000 banorë, ndërsa mesatarja në Europë është rreth 578 automjete për 1000 banorë.
Problemi i trafikut është veçanërisht i ndjeshëm në Tiranë dhe Durrës. Sipas një sondazhi të Monitor, 70% e drejtuesve të automjeteve shpenzojnë më shumë se një orë në trafik çdo ditë, ndërsa 84% e tyre thonë se kanë gjithmonë vështirësi për të gjetur parkim.
Ndërkohë, kostoja e parkimit në kryeqytet po rritet vazhdimisht, duke kaluar shpesh 10 mijë lekë në muaj, ndërsa një vend parkimi në zonat qendrore mund të kushtojë deri 60–80 mijë euro.
