Tensionet në Lindjen e Mesme pritet të përshkallëzohen më tej, pasi zyrtarë iranianë kanë paralajmëruar se konflikti me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara ka hyrë në një fazë të re.
Në një mesazh për CNN, një zyrtar i lartë iranian deklaroi se lufta nuk pritet të përfundojë së shpejti dhe se sulmet ndaj depove të naftës dhe karburantit të Iranit do të përballen me hakmarrje në të gjithë rajonin.
“Lufta ka hyrë në një fazë të re dhe sulmi ndaj depove të naftës dhe karburantit të Iranit do të përballet patjetër me hakmarrje rajonale”, u shpreh zyrtari.
Ai shtoi se Teherani po shqyrton mundësinë e goditjes së infrastrukturës energjetike në rajon, një veprim që mund të ndikojë ndjeshëm në prodhimin dhe transportin e naftës dhe gazit në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, kryetari i parlamentit iranian Mohammad Bagher Qalibaf deklaroi se Irani nuk po kërkon armëpushim dhe se kundërshtarët duhet të përballen me pasojat e veprimeve të tyre.
“Nëse armiku na sulmon nga çdo vend, Teherani do të përgjigjet me vendosmëri”, tha ai për televizionin shtetëror iranian.
Zyrtarët iranianë theksuan gjithashtu se vendi nuk do të heqë dorë nga kontrolli i Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë, duke paralajmëruar se Teherani do të vendosë vetë se kur do të përfundojë konflikti.
