Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka bërë thirrje për ndërmarrjen e një nisme ligjore që të njohë sigurimet shoqërore për prindërit që kujdesen për fëmijët me spektrin e autizmit dhe sindromën Down.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ajo bëri të ditur se gjatë ditëve të fundit ka zhvilluar takime në Kuvend dhe jashtë tij me shoqata, drejtues qendrash dhe prindër të fëmijëve me këto diagnoza.
Sipas Tabakut, këto takime kanë nxjerrë në pah vështirësitë me të cilat përballen familjet, veçanërisht nënat që mbajnë peshën kryesore të kujdesit të përditshëm.
Deputetja theksoi se shumë prindër janë kujdestarë me kohë të plotë për fëmijët e tyre dhe shpesh detyrohen të heqin dorë nga karriera apo mundësi të tjera personale. Megjithatë, sipas saj, sistemi aktual nuk e njeh këtë përkushtim si kontribut në aspektin e sigurimeve shoqërore.
Tabaku theksoi se është momenti që Kuvendi të ndërmarrë hapa konkretë për të njohur këtë sakrificë dhe për të garantuar mbështetje për prindërit kujdestarë.
“Kujdesi për këta fëmijë është një sakrificë e përditshme dhe një përgjegjësi e madhe për familjen. Por mbështetja ndaj tyre duhet të jetë edhe përgjegjësi e shoqërisë dhe e shtetit”, u shpreh ajo.
Në përfundim, deputetja theksoi se kjo çështje duhet të hapet seriozisht në debat publik dhe institucional, duke kërkuar më shumë politika mbështetëse për familjet që përballen çdo ditë me këtë sfidë.
