Një shqiptar është arrestuar në Londër në kuadër të një kërkese për ekstradim nga autoritetet shqiptare, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana.
Bëhet fjalë për 28-vjeçarin Dajlan Hoxha, i cili u prangos nga Policia Metropolitane në Londër, pasi ishte dënuar në mungesë nga Gjykata e Tiranës për vjedhjen e një telefoni celular.
Sipas dokumenteve të Gjykatës së Ekstradimeve “Westminster Magistrate Court”, Hoxha është dënuar për vjedhjen e një celulari të një shtetasi me inicialet S.Y., ngjarje e ndodhur më 10 shtator 2021.
Gjykata londineze pritet të shqyrtojë kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij më 8 prill.
Ndërkohë, në Londër është arrestuar edhe Bekim Çela, 25 vjeç, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për kultivim të kanabisit dhe mbajtje të një granate luftarake pa leje.
Sipas autoriteteve britanike, Çela dyshohet se në shtator të vitit 2021 ka qenë i përfshirë në kultivimin e 38 rrënjëve kanabis në fshatin Kovaçë të Tropojës.
Ai po e ndjek procesin e ekstradimit në gjendje të lirë me kusht, ndërsa mban në këmbë një pajisje monitorimi GPS. Një i afërm i tij ka paguar një garanci prej 1000 paundësh në gjykatë.
Vendimi për kërkesën e ekstradimit të tij nga autoritetet shqiptare pritet të merret më 26 tetor.
