Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për shembjen e një segmenti në aksin Elbasan–Qafë Thanë, në zonën e Librazhdit.
Në një postim në rrjetet sociale, Boçi e cilësoi si “mashtrim” shpjegimin e qeverisë se dëmtimi i rrugës është shkaktuar nga reshjet e shiut.
Sipas tij, të dhënat meteorologjike tregojnë se sasia e reshjeve këtë vit nuk ndryshon ndjeshëm nga vitet e tjera dhe nuk mund të jetë shkaku kryesor i shembjes së segmentit.
“Rama mashtroi kur deklaroi se shembjen në aksin Elbasan-Qafë Thanë e shkaktuan reshjet e shiut. Por çfarë thonë të dhënat? Ky vit është pothuaj i njëjtë me çdo vit tjetër pararendës”, shkruan Boçi.
Deputeti demokrat thekson se viti me më shumë reshje në periudhën janar–shkurt ka qenë 2023, ndërsa diferencat mes viteve të tjera janë minimale.
Sipas tij, problemi kryesor lidhet me keqmenaxhimin e projekteve të infrastrukturës, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe paaftësi.
“Korrupsioni dhe paaftësia shembën segmentin”, përfundon Boçi në reagimin e tij.
