Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka filluar të ndikojë ndjeshëm edhe në sektorin e aviacionit, duke detyruar disa kompani ajrore të anulojnë ose shtyjnë fluturimet drejt destinacioneve kryesore të rajonit.
Mes tyre është edhe kompania greke Aegean Airlines, e cila njoftoi pezullimin e përkohshëm të disa linjave ajrore për arsye sigurie.
Sipas njoftimit të kompanisë:
- Fluturimet për në dhe nga Riadi janë anuluar deri në orët e para të 14 marsit 2026;
- Fluturimet për Dubai janë pezulluar deri në mbrëmjen e 19 marsit 2026;
- Fluturimet për Tel Aviv janë anuluar deri në 20 mars 2026;
- Fluturimet për Bejrut, Erbil dhe Bagdad janë pezulluar deri në 25 mars 2026.
Vendimi vjen pas përshkallëzimit të situatës në rajon, pas sulmeve të koordinuara amerikano-izraelite ndaj Iranit në fund të muajit shkurt, që kanë çuar në një seri sulmesh me raketa dhe dronë në disa vende të Lindjes së Mesme.
Në ditët e fundit janë raportuar incidente në zona strategjike dhe qytete të mëdha si Dubai, Abu Dhabi dhe Doha, ndërsa aeroporti i Dubait – një nga më të ngarkuarit në botë për fluturime ndërkombëtare – u detyrua të mbyllej për tre ditë pasi u godit nga mbetje dronësh gjatë kundërsulmeve.
Ndërkohë, disa shtete kanë nisur operacione për evakuimin e qytetarëve të tyre nga rajoni. Shtetet e Bashkuara kanë organizuar fluturime çarter për largimin e qytetarëve nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania dhe Arabia Saudite, ndërsa Britania e Madhe ka nisur evakuimin e qytetarëve të saj nga Omani dhe Emiratet.
Zhvillimet e fundit kanë rritur shqetësimet për sigurinë e trafikut ajror në një nga rajonet më të rëndësishme të transportit ndërkombëtar.
