Një shpërthim është raportuar në zonën e Dubai Marinës në Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi mbetje të një rakete të interceptuar goditën fasadën e një ndërtese të lartë në zonë.
Sipas një deklarate të Zyrës së Medias së Dubait, incidenti ndodhi pasi mbeturinat e një përgjimi të suksesshëm të sistemit të mbrojtjes ajrore u përplasën me një kullë në zonën rezidenciale dhe turistike të qytetit.
Autoritetet konfirmuan se nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar.
“Autoritetet konfirmojnë se mbeturinat që rezultuan nga një përgjim i suksesshëm shkaktuan një incident të vogël në fasadën e një kulle në Dubai Marina. Situata është nën kontroll dhe nuk ka të lënduar”, thuhet në deklaratë.
Pas incidentit, ndërtesat përreth u evakuuan për arsye sigurie, ndërsa shërbimet e emergjencës ndërhynë menjëherë në vendngjarje.
Dubai Marina është një nga zonat më të frekuentuara të qytetit dhe ndodhet pranë disa atraksioneve të rëndësishme turistike dhe institucioneve arsimore, përfshirë Universitetin Amerikan të Dubait dhe qendrën tregtare Dubai Marina.
Banorët në Dubai dhe Abu Dhabi raportuan se morën paralajmërime në telefonat celularë për kërcënime me raketa, ndërsa në qytet u dëgjuan zhurma të sistemit të mbrojtjes ajrore gjatë interceptimit të tyre.
Ngjarja vjen në një moment tensioni të shtuar në rajon, pasi presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, deklaroi më herët se vendi i tij nuk është “pre e lehtë”, duke paralajmëruar Iranin pas sulmeve të fundit në rajon.
