Një ngjarje tragjike ka tronditur Britaninë e Madhe, ku një 40-vjeçar është dënuar me burgim të përjetshëm pasi i vuri zjarrin një shtëpie, duke shkaktuar vdekjen e një gruaje dhe tre fëmijëve të saj.
Sipas mediave britanike, autori i krimit, Sharaz Ali, u shpall fajtor për vrasjen e Bryonie Gawith, 29 vjeçe, dhe tre fëmijëve të saj: Denisty Gawith, 9 vjeçe, Oscar Gawith, 5 vjeç dhe Aubree Birtle, 22 muajshe.
Ngjarja ndodhi në vitin 2024 në Bradford dhe, sipas hetimeve, ishte një sulm hakmarrjeje ndaj ish-partneres së autorit.
Prokuroria bëri të ditur se Ali kishte planifikuar sulmin pasi ish-partnerja e tij, Antonia Gawith, i kishte dhënë fund lidhjes. Ai shkoi në banesën ku ajo jetonte me motrën dhe fëmijët e saj, i shoqëruar nga bashkëpunëtori Calum Sunderland, 27 vjeç.
Sipas dëshmive në gjyq, Sunderland theu derën e përparme të shtëpisë për t’i hapur rrugë Aliut që të hynte brenda. Më pas, Ali hodhi benzinë brenda banesës dhe i vuri zjarrin shtëpisë. Antonia arriti të shpëtonte në momentet e fundit, ndërsa motra e saj dhe tre fëmijët mbetën të bllokuar brenda dhe humbën jetën nga flakët.
Gjykata theksoi se sulmi kishte qenë i planifikuar dhe se autori kishte treguar një mungesë të plotë ndjeshmërie ndaj jetës së fëmijëve.
Për këtë krim të rëndë, Sharaz Ali u dënua me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi. Ndërkohë bashkëpunëtori i tij, Calum Sunderland, u shpall fajtor për vrasje nga pakujdesia dhe u dënua me burgim të përjetshëm me një periudhë minimale prej 18 vitesh para se të mund të kërkojë lirimin me kusht.
Në deklaratën e saj para gjykatës, Antonia Gawith u shpreh se humbja e motrës dhe tre fëmijëve të saj është një dhimbje që do ta shoqërojë për gjithë jetën, duke theksuar se asnjë dënim nuk mund të kthejë mbrapsht familjen që humbi.
