Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, prezantoi strategjinë kombëtare “Serbia 2030”, një plan zhvillimi për dekadën e ardhshme që përfshin edhe çështjen e Kosovës në vizionin politik dhe strategjik të vendit.
Gjatë prezantimit, Vuçiç përsëriti qëndrimin e Beogradit se Kosova konsiderohet pjesë e territorit të Serbisë, duke iu referuar Kushtetutës serbe dhe rezolutave ndërkombëtare.
“Kushtetuta e Republikës së Serbisë thotë pa mëdyshje se Kosova është një krahinë autonome brenda Serbisë. E vetmja zgjidhje për Kosovën është dialogu, pa konflikte apo luftë”, deklaroi presidenti serb.
Ai shtoi se Serbia do të vazhdojë të mbështesë komunitetin serb në Kosovë përmes zhvillimit të institucioneve si shkollat dhe spitalet, si dhe përmes mbështetjes për manastiret dhe kishat.
Vuçiç theksoi se vendi do të ruajë neutralitetin ushtarak, ndërsa theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me partnerë ndërkombëtarë si Rusia dhe Kina, si dhe nevojën për të ndërtuar marrëdhënie strategjike edhe me vendet e NATO-s.
Në fjalën e tij, ai paralajmëroi gjithashtu për rritjen e tensioneve globale, duke përmendur konfliktin mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit si një situatë që mund të çojë në përshkallëzim të gjerë ndërkombëtar.
Ndër të tjera, presidenti serb njoftoi krijimin e një ushtrie digjitale dhe hapjen e një fabrike për prodhimin e dronëve ushtarakë në bashkëpunim me një partner ndërkombëtar, duke theksuar se Serbia synon të forcojë kapacitetet e saj teknologjike dhe ushtarake në vitet e ardhshme.
