Raportuesi i PE për Kosovën: Dështimi për zgjedhjen e presidentit është hap prapa për stabilitetin politik

Data

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, e ka cilësuar si një “hap prapa” dështimin e Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri të vendit brenda afatit kushtetues.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, Terras shprehu zhgënjimin për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke theksuar se vendi po përballet me pasiguri të re politike në vend të stabilitetit institucional.

“Dështimi për zgjedhjen e presidentit është një hap prapa për Kosovën. Në vend të stabilitetit, vendi përballet me pasiguri të re politike. Vërtet zhgënjyese”, shkroi ai.

Reagimi i raportuesit të Parlamentit Evropian erdhi pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi shpërndarjen e Kuvendit përmes një dekreti zyrtar.

Sipas Osmanit, Kuvendi nuk arriti të përmbushë detyrimin kushtetues për zgjedhjen e presidentit brenda afatit të përcaktuar.

Ajo bëri të ditur se data 5 mars ishte afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, që duhej të ndodhte 30 ditë para përfundimit të mandatit të saj më 4 prill.

Presidentja e Kosovës theksoi se përpjekjet e dështuara për zgjedhjen e presidentit nuk ishin rastësore, por sipas saj të kalkuluara politikisht.

“Është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, deklaroi Osmani, duke shtuar se shpërndarja e Kuvendit është një detyrim kushtetues në këtë situatë.

Seanca e fundit për zgjedhjen e presidentit, e zhvilluar më 5 mars, u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit, pasi deputetët e partive opozitare nuk morën pjesë në votim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related