Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rritur pas deklaratave të forta të ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi se Irani “do të goditet shumë rëndë”.
Në reagim ndaj këtyre deklaratave, një zyrtar i lartë iranian i tha CNN se Teherani po shqyrton mundësinë për të identifikuar interesa të reja amerikane që mund të goditen në rast të përshkallëzimit të situatës.
Sipas tij, paralajmërimet e Trump për “shkatërrim total dhe vdekje të sigurt” për Iranin përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj vendit dhe popullit iranian.
“Republika Islamike njofton se do të shqyrtojë seriozisht zonat, forcat dhe subjektet e lidhura me SHBA-në që deri më tani nuk janë përfshirë në listën e objektivave të forcave të armatosura iraniane dhe do të ndërmarrë veprime kundër tyre në rast të veprimeve të pamatura nga ana e armikut”, tha zyrtari iranian.
Ai nuk dha detaje të mëtejshme mbi objektivat e mundshme apo mbi kohën kur mund të ndërmerren veprime të tilla.
Deklaratat e fundit kanë shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm të tensioneve në rajon, ndërsa situata mbetet e tensionuar mes dy vendeve.
