Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet në ndërtimin e Korridorit VIII dhe komentoi edhe shembjen e ndodhur në zonën e Arrës së Gurrës në aksin Prrenjas–Librazhd, ngjarje që paralizoi qarkullimin në juglindje të vendit për rreth 11 ditë.
Gjatë deklaratës së tij, Rama u shpreh se rrëshqitja e dheut nuk lidhet me punimet në rrugë apo me përgjegjësi të kompanive ndërtuese, por me kushtet atmosferike dhe faktorët gjeologjikë të zonës.
Sipas tij, segmenti ku ndodhi shembja i përket aksit të vjetër rrugor dhe jo projektit të ri që po ndërtohet në kuadër të Korridorit VIII.
“Tollovia që u tha se rruga u shemb nga punimet është një manipulim i madh, sepse këtu jemi në aksin e vjetër. Aksi i ri nuk është ndërtuar ende. Ajo është një rrëshqitje e shkaktuar nga faktorë gjeologjikë të ngarkuar nga reshjet e vazhdueshme”, deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se situata është interpretuar gabimisht në debatet publike dhe se mjafton të shihet nga afër terreni për të kuptuar se bëhet fjalë për një fenomen natyror.
Shembja e ndodhur në këtë segment rrugor shkaktoi ndërprerje të qarkullimit për disa ditë dhe krijoi vështirësi në lëvizjen e automjeteve mes zonave të juglindjes dhe pjesës tjetër të vendit. Ndërkohë autoritetet vijojnë punimet për stabilizimin e zonës dhe përmirësimin e infrastrukturës në këtë aks.
