Partia Progresive Serbe (SNS), e udhëhequr nga presidenti Aleksandër Vuçiç, po përballet me një rënie të ndjeshme të mbështetjes politike përpara zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në fund të marsit në dhjetë vetëqeverisje në Serbi.
Këto zgjedhje shihen nga analistët si një test i rëndësishëm përpara zgjedhjeve parlamentare, ndërsa politologu Dejan Bursaç vlerëson se për SNS-në ekziston një presion i madh për të ruajtur kontrollin në çdo komunë.
Sipas tij, mënyra se si funksionon partia është tepër e centralizuar, pasi kandidatët dhe politika lokale shpesh zëvendësohen nga figura dhe mesazhi politik i presidentit Vuçiç.
“Ata kandidojnë për Aleksandër Vuçiçin dhe politikën shtetërore kudo. Nuk ka politikë lokale dhe as kandidatë lokalë që të dalin në plan të parë”, thekson Bursaç.
Analisti paralajmëron se një fitore e mundshme e listave studentore ose e opozitës studentore, qoftë edhe në një komunë të vetme, mund të ketë ndikim të madh simbolik, pasi do të tregonte se SNS mund të mposhtet në zgjedhje.
Edhe nëse opozita nuk arrin fitore të drejtpërdrejta, Bursaç thekson se rënia e mbështetjes për partinë në komunat e vogla, e kombinuar me vështirësitë në qytete të mëdha si Beogradi, Novi Sadi dhe Nishi, tregon se SNS po përballet me një moment të vështirë politik.
Ai kujton se partia pësoi një rënie të dukshme të votave edhe në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, përfshirë zona ku tradicionalisht kishte ndikim të fortë për shkak të lidhjes së qytetarëve me sektorin publik dhe ndihmat sociale.
Për të shmangur shpërndarjen e votave, pushteti po përpiqet të bashkojë partitë aleate në një listë të vetme zgjedhore, duke e konsideruar këtë proces si një moment kritik për të ruajtur dominimin politik.
Ndërkohë, një pjesë e mbështetjes për lëvizjen studentore në Serbi lidhet me faktin se ajo është paraqitur si një alternativë e re politike, duke refuzuar bashkëpunimin me partitë tradicionale të opozitës.
