Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, dhe presidenti rus Vladimir Putin kanë zhvilluar një bisedë telefonike këtë të premte, në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme pas sulmeve të fundit ndaj Iranit.
Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, që citon Kremlinin, gjatë bisedës dy liderët ranë dakord të vazhdojnë kontaktet dhe koordinimin përmes kanaleve të ndryshme diplomatike.
“U ra dakord që kontaktet me palën iraniane do të vazhdojnë përmes kanaleve të ndryshme”, thuhet në deklaratën e Kremlinit.
Ky komunikim konsiderohet si kontakti i parë publik në nivel presidencial mes dy vendeve që nga nisja e sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj objektivave në Iran.
Edhe agjencitë shtetërore iraniane të lajmeve konfirmuan zhvillimin e telefonatës mes dy presidentëve, por nuk dhanë detaje të tjera mbi përmbajtjen e bisedës.
Telefonata vjen në një moment kur tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm dhe situata në Lindjen e Mesme po monitorohet nga afër nga fuqitë ndërkombëtare.
