Eksperti i çështjeve të sigurisë dhe koloneli Dritan Demiraj ka deklaruar se përplasja mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe Iranit nuk është vetëm një konflikt rajonal, por një përballje më e gjerë mes dy blloqeve të mëdha gjeopolitike.
I ftuar në një emision televiziv, Demiraj u shpreh se në njërën anë qëndron një bosht shtetesh që përfshin Rusinë, Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin, ndërsa në anën tjetër ndodhen SHBA dhe aleanca euroatlantike.
Sipas tij, objektivat e konfliktit shkojnë përtej përplasjes direkte me Iranin. Ai theksoi se për Izraelin synimi kryesor lidhet me sigurinë dhe dobësimin e Iranit, ndërsa për SHBA-të qëllimi është rrëzimi i regjimit aktual dhe vendosja e një lidershipi pro-amerikan në Teheran.
Demiraj shtoi se konflikti ka edhe një dimension strategjik që lidhet me rivalitetin global me Kinën. Sipas tij, destabilizimi ose marrja e kontrollit të Iranit do të ndërpriste projekte të rëndësishme infrastrukturore dhe energjetike të lidhura me nismën kineze “Belt and Road Initiative”.
Ai theksoi gjithashtu se një zhvillim i tillë do të dëmtonte lidhjet ekonomike dhe transportin mes Kinës, Lindjes së Mesme dhe pjesës tjetër të Euroazisë, duke ndërprerë edhe korridore strategjike ekonomike si ai veri-jug që lidh Rusinë me Iranin, si dhe korridorin lindje-perëndim që lidh Kinën me Lindjen e Mesme.
Sipas Demirajt, konflikti është përshkallëzuar edhe për shkak se, sipas tij, llogaritë fillestare të Izraelit nuk rezultuan siç pritej, pasi vrasja e udhëheqësve iranianë nuk solli dorëzimin e Teheranit.
Ai paralajmëroi se përfshirja e elementëve kurdë në zhvillimet e konfliktit mund të provokojë reagim të fortë nga Turqia, duke e bërë situatën edhe më komplekse në rajon.
