Protesta e organizuar nga lëvizja “Shqipëria Bashkë” përpara Kryeministrisë në Tiranë është shoqëruar me tensione pasi policia ndërhyri për të hequr çadrën dhe karriget e vendosura nga protestuesit.
Kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, kishte vendosur një çadër simbolike gjatë protestës së zhvilluar këtë mbrëmje në sheshin përpara godinës së Kryeministrisë. Pak më vonë, forcat e policisë ndërhynë duke larguar çadrën dhe pajisjet e vendosura në zonë.
Qytetarët e pranishëm kundërshtuan veprimet e policisë dhe u përpoqën të pengonin heqjen e çadrës.
Gjatë fjalës së tij, Lapaj kritikoi ndërhyrjen e policisë dhe deklaroi se protesta do të vazhdojë pavarësisht veprimeve të autoriteteve.
“Këta vijnë si hiena dhe marrin çfarë u del para, por nuk na trembin dot”, u shpreh ai.
Sipas Lapajt, qytetarët do të vijojnë të protestojnë për të kërkuar ndryshim dhe për të denoncuar, sipas tij, korrupsionin dhe abuzimet e qeverisë.
