Trump takohet me gjigantët e industrisë së armëve, SHBA në gatishmëri mes tensioneve me Iranin

Data

Shtetet e Bashkuara vijojnë të mbeten në gatishmëri të lartë mes përshkallëzimit të tensioneve me Iranin, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një takim me përfaqësues të industrisë së mbrojtjes.

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur përmes sekretares për shtyp, Karoline Leavitt, se ushtria amerikane ka rezerva të mjaftueshme armësh dhe municionesh për të vazhduar operacionet ushtarake.

Deklarata erdhi pas një takimi të Trump me drejtues të disa prej kompanive më të mëdha të mbrojtjes në SHBA, përfshirë Lockheed Martin, Boeing, Honeywell dhe L3Harris Technologies.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, takimi ishte planifikuar javë më parë, përpara se të nisnin sulmet ndaj objektivave në Iran.

Leavitt theksoi se presidenti amerikan është fokusuar vazhdimisht në forcimin e kapaciteteve të ushtrisë dhe se ai do të vazhdojë t’u kërkojë kompanive amerikane të rrisin prodhimin e armëve.

“Presidenti do të vazhdojë t’u bëjë thirrje këtyre kompanive që të prodhojnë më shpejt armë të prodhuara në Amerikë, të cilat janë ndër më të mirat në botë”, tha ajo.

Megjithatë, disa ekspertë të mbrojtjes kanë paralajmëruar se intensiteti i fushatës ajrore dhe kërkesa e lartë për sisteme të mbrojtjes ajrore mund të krijojnë vështirësi nëse operacionet ushtarake zgjasin për një periudhë të gjatë.

Zyrtarët amerikanë kanë kundërshtuar këto shqetësime, duke theksuar se rezervat e armëve dhe pajisjeve janë të mjaftueshme për të mbështetur operacionet aktuale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related