Pamje të rënda nga Irani tregojnë momentin kur një shkollë djemsh në qytetin verior të Qazvinit u godit nga një bombardim gjatë ditës së parë të sulmeve ajrore të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Ngjarja është kapur nga kamerat e sigurisë së institucionit, ndërsa pamjet tregojnë çastin e shpërthimit që godet zonën e shkollës.
Sipas autoriteteve lokale, nga bombardimi humbi jetën një adoleshent.
Ndërkohë, shqetësimi ndërkombëtar është rritur edhe pas një tjetër sulmi ndaj një shkolle fillore vajzash në Iran.
Autoritetet iraniane raportojnë se gjatë ditës së parë të luftës një sulm goditi një shkollë fillore në qytetin jugor të Minabit, ku u vranë të paktën 150 persona.
Shefi i të drejtave të njeriut në OKB, Volker Türk, e cilësoi ngjarjen një incident tragjik dhe kërkoi hetim të plotë për të zbardhur rrethanat.
Ai theksoi se hetimet duhet të jenë të shpejta dhe transparente, ndërsa shtoi se duhet të ketë edhe përgjegjësi për atë që ndodhi.
Deri më tani, as Izraeli dhe as Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrë përgjegjësinë për sulmin, i cili ndodhi pranë zonave të kontrolluara nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike.
