Grupi parlamentar i Partisë Socialiste i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën që të marrin masa disiplinore ndaj deputetëve të Partisë Demokratike Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.
Sipas kërkesës zyrtare të depozituar në Kuvend, gjatë seancës plenare të 5 marsit 2026 dy deputetët demokratë kanë penguar zhvillimin normal të punimeve parlamentare, duke bllokuar foltoren dhe duke përdorur gjuhë të papërshtatshme.
Në dokument thuhet se Bardhi dhe Balliu, së bashku me deputetë të tjerë të opozitës, ndërhynë disa herë gjatë fjalës së kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, duke e ndërprerë me thirrje dhe provokime nga salla. Më pas, ata bllokuan foltoren me pretendimin se ishte përdorur gjuhë joparlamentare.
Socialistët argumentojnë se deputetët e opozitës nuk kanë pritur ndërhyrjen e drejtuesit të seancës, i cili sipas rregullores është autoriteti i vetëm që interpreton procedurën parlamentare.
Sipas PS-së, situata u përshkallëzua edhe pas rifillimit të seancës, ndërsa Bardhi dhe Balliu u përfshinë në veprime që, sipas mazhorancës, cenojnë rendin dhe funksionimin normal të punimeve në Kuvend.
Në kërkesë thuhet se Gazment Bardhi ka përdorur fjalë fyese dhe kërcënuese, ndërsa Klevis Balliu akuzohet për sjellje agresive dhe për dëmtim të pajisjeve në sallën e Kuvendit, përfshirë mikrofonin dhe sistemin e votimit.
Për këto arsye, Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin e Gazment Bardhit nga komisionet dhe seancat plenare për 10 ditë, ndërsa për Klevis Balliun është kërkuar përjashtim për 30 ditë.
Më herët gjatë ditës, Partia Demokratike kishte kërkuar gjithashtu përjashtimin nga Kuvendi për 60 ditë të deputetit socialist Taulant Balla, duke e akuzuar për përdorim të gjuhës së papranueshme ndaj deputetes Albana Vokshi gjatë së njëjtës seancë parlamentare.
