Ka nisur ceremonia e betimit të ministrave të rinj të kabinetit qeveritar “Rama 4”, pas miratimit të ndryshimeve në Kuvend një ditë më parë.
Ceremonia po zhvillohet në Pallatin e Brigadave, ku anëtarët e rinj të Këshillit të Ministrave po betohen përpara Presidentit të Republikës.
E para që bëri betimin ishte Albana Koçiu, e cila mori detyrën e zëvendëskryeministres. Më pas u betua ministri i ri i Jashtëm, Ferit Hoxha, i ndjekur nga Besfort Lamallari, i cili do të mbajë postin e ministrit të Brendshëm.
Ndryshimet në kabinet përfshijnë emërimin e Toni Gogut si ministër i Drejtësisë, Enea Karakaçit si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ermal Nufit si ministër i Mbrojtjes dhe Erjona Ismailit si ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Këto ndryshime u miratuan në seancën plenare të një dite më parë në Kuvend, ku opozita nuk mori pjesë në votim pasi deputetët e saj bllokuan foltoren e Parlamentit gjatë zhvillimit të seancës.
Në votimin e zhvilluar në Kuvend, Albana Koçiu u miratua si zëvendëskryeministre me 83 vota pro dhe 3 kundër, ndërsa Ferit Hoxha si ministër i Jashtëm me 83 vota pro dhe 4 kundër.
Besfort Lamallari u miratua ministër i Brendshëm me 83 vota pro dhe 4 kundër, ndërsa Ermal Nufi si ministër i Mbrojtjes me 83 vota pro dhe 6 kundër. Toni Gogu mori 83 vota pro dhe 5 kundër për postin e ministrit të Drejtësisë, ndërsa Enea Karakaçi u miratua ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë me 83 vota pro dhe 6 kundër.
Erjona Ismaili u emërua ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin me 82 vota pro dhe 4 kundër.
