Seanca plenare në Kuvend është shoqëruar me tensione të forta dhe përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.
Debati nisi kur kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, po mbante fjalën në foltore dhe në një moment iu drejtua deputetes demokrate Albana Vokshi me shprehjen “për ty kam numrin 0900”, një referencë që u interpretua nga opozita si fyerje.
Deklarata shkaktoi reagim të menjëhershëm nga deputetët e Partisë Demokratike. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, dhe disa deputetë të tjerë iu afruan Ballës pranë foltores, duke shpërthyer në akuza dhe fyerje, ndërsa situata u tensionua për disa minuta.
Pas ndërhyrjes së deputetëve të tjerë dhe Gardës së Republikës, kryetari i Kuvendit ndërpreu seancën për disa minuta.
Tensionet vazhduan edhe pas rinisjes së seancës, kur deputeti demokrat Klevis Balliu u afrua drejt Ballës dhe tentoi ta godiste, duke shkaktuar përplasje mes deputetëve në sallë.
Më pas, Taulant Balla mori sërish fjalën për të sqaruar situatën dhe uroi gratë dhe vajzat për 8 Marsin, duke theksuar se deklarata e tij ishte keqkuptuar.
Ndërkohë, deputetët e opozitës kërkuan përjashtimin e Ballës nga seanca, duke e cilësuar deklaratën e tij fyese dhe të papranueshme.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku e dënoi deklaratën, duke thënë se është cenuar dinjiteti i një kolegeje në Parlament. Edhe deputetë të tjerë të opozitës akuzuan drejtuesit e seancës për mungesë reagimi dhe kërkuan masa disiplinore ndaj Ballës.
Debatet në Kuvend vijuan mes akuzave të ndërsjella, ndërsa çështja pritet të shqyrtohet edhe në sekretariatin për etikën parlamentare.
