Ekstradohet nga Londra Lorenc Lala, i njohur si “Lili”, i akuzuar si anëtar i grupit kriminal të Laert Haxhiut

Data

Interpol Tirana ka ekstraduar nga Mbretëria e Bashkuar shtetasin Lorenc Lala, 49 vjeç, i njohur edhe me pseudonimin “Lili”, i akuzuar si pjesë e grupit kriminal të Laert Haxhiut.

49-vjeçari u soll në pranga në aeroportin e Rinasit, pas finalizimit të procedurave të ekstradimit në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim me autoritetet britanike.

Sipas Policisë së Shtetit, Lorenc Lala, i njohur edhe me identitetet Kristian Lala dhe Ilir Lamberti, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Elbasanit i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në tetor të vitit 2023.

Ai akuzohet për veprat penale “vrasje për gjakmarrje”, “sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, si dhe për pjesëmarrje në “grup të strukturuar kriminal”.

Sipas hetimeve, Lala dyshohet se ka bashkëpunuar me disa persona, mes tyre edhe Laert Haxhiun dhe bashkëpunëtorë të tjerë të drejtësisë, për vrasjen e shtetasit Albi Bashaliu, ngjarje e ndodhur më 27 dhjetor 2021 në fshatin Gjocaj të Peqinit.

Hetimet tregojnë se ai dyshohet të ketë siguruar armët e përdorura në krim, si dhe mjetet e transportit që u përdorën nga anëtarët e grupit kriminal për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Lorenc Lala ishte arrestuar në Angli më 19 qershor 2025 me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Pas mbërritjes në vend, ai do të përballet me drejtësinë shqiptare për akuzat e ngritura ndaj tij.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related