Pas miratimit në Kuvend të ndryshimeve në kabinetin qeveritar “Rama 4”, ministrat e rinj do të betohen sot përpara Presidentit të Republikës.
Ceremonia e betimit është parashikuar të zhvillohet në orën 10:00 në Pallatin e Brigadave, ku anëtarët e rinj të Këshillit të Ministrave do të marrin zyrtarisht detyrën.
Sipas Presidencës, ministrat e dekretuar nga Presidenti i Republikës do të kryejnë betimin në një ceremoni zyrtare të organizuar këtë të premte.
Në seancën plenare të një dite më parë, Kuvendi miratoi të gjitha dekretet e Presidentit Bajram Begaj për ndryshimet në qeveri, të cilat përfshijnë gjashtë shkarkime dhe shtatë emërime të reja në poste ministrore.
Opozita nuk mori pjesë në votim, pasi deputetët e saj bllokuan foltoren e Kuvendit gjatë seancës.
Sipas rezultatit të votimit në Kuvend, Albana Koçiu u emërua zëvendëskryeministre me 83 vota pro dhe 3 kundër. Ferit Hoxha u miratua si ministër i Jashtëm me 83 vota pro dhe 4 kundër.
Besfort Lamallari u emërua ministër i Brendshëm me 83 vota pro dhe 4 kundër, ndërsa Ermal Nufi u miratua si ministër i Mbrojtjes me 83 vota pro dhe 6 kundër.
Në kabinet u emëruan gjithashtu Toni Gogu si ministër i Drejtësisë, Enea Karakaçi si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Eriona Ismaili si ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
