Pasuritë e krimit në fokus të Komisionit Europian, vlerësohet bashkëpunimi mes SPAK dhe AAPSK

Data

Ekspertët e Komisionit Europian i kanë kushtuar vëmendje të veçantë procesit të sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive që rrjedhin nga aktiviteti i krimit të organizuar në Shqipëri, gjatë takimit të 17-të të Nënkomitetit BE–Shqipëri për “Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë”.

Gjatë diskutimeve, ekspertët e BE kërkuan raportim të detajuar statistikor mbi pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe mbi administrimin e tyre nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).

Sipas tyre, Brukseli do të monitorojë nga afër këtë proces, duke e konsideruar një element kyç në kuadër të reformave për sundimin e ligjit.

Ekspertët evropianë vlerësuan gjithashtu progresin e bërë nga Shqipëria në përafrimin e kuadrit ligjor dhe në zbatimin e tij sipas standardeve të Bashkimit Europian.

Megjithatë, ata theksuan se rritja e numrit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, administrimi efektiv i tyre dhe përdorimi në favor të shtetit do të jenë indikatorët kryesorë për vlerësimin e progresit në Kapitullin 24 të negociatave me BE, “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.

Në këtë drejtim, bashkëpunimi ndërinstitucional, veçanërisht ai mes SPAK dhe AAPSK, u vlerësua si një zhvillim pozitiv.

Sipas ekspertëve të Komisionit Europian, koordinimi mes dy institucioneve dhe statistikat e raportuara mbi administrimin e pasurive tregojnë për krijimin e një marrëdhënieje të qëndrueshme dhe të besueshme institucionale.

Po ashtu, u vlerësua edhe përdorimi i fondeve të krijuara nga administrimi i pasurive të sekuestruara në mbështetje të institucioneve ligjzbatuese, përfshirë rritjen e mbështetjes financiare për SPAK gjatë vitit 2025.

Procesi i sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive kriminale konsiderohet një nga instrumentet kryesore për goditjen e ekonomisë së krimit dhe një tregues i rëndësishëm i progresit të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related