Kurti dhe Konjufca i kërkojnë opozitës të propozojë një kandidat tjetër për presidentin e Kosovës

Data

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje që opozita të propozojë një kandidat të dytë për presidentin e vendit, në mënyrë që të përmbushet kërkesa kushtetuese për garë në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Deklarata u bë pas mbledhjes solemne të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 5 mars për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Pasdite duhet t’i vazhdojmë përpjekjet që ta zgjedhim presidentin. Urojmë dhe shpresojmë që të ketë edhe një kandidaturë të dytë, në mënyrë që të përmbushim kërkesën kushtetuese për garë”, tha Kurti.

Aktualisht, kandidati i vetëm i propozuar për postin e presidentit është Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.

Edhe vetë Konjufca u bëri thirrje partive opozitare që të propozojnë një kandidat tjetër nëse nuk mbështesin kandidaturën e tij.

“PDK dhe LDK duhet të përcaktohen se kë do të votojnë nëse nuk e votojnë Glauk Konjufcën. Nëse propozojnë ndonjë emër tjetër, ndoshta edhe unë e votoj”, tha ai.

Sipas Konjufcës, opozita mund të propozojë edhe presidenten aktuale, Vjosa Osmani.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Mandati i Vjosa Osmanit përfundon më 4 prill.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 vende. Nëse në dy raundet e para nuk sigurohen 80 vota, atëherë në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota për zgjedhjen e presidentit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related