Universitetet publike arkëtojnë miliona euro çdo vit nga tarifa e shkollimit, por iu ofrojnë vetëm internet studentëve, ndërsa aksesi në printime për nevojat e studimit nuk ofrohet as në bibliotekat e fakultetit. Bibliotekat online nuk u finalizuan asnjëherë, por, megjithatë, Ministria e Arsimit pagoi qindra-mijëra dollarë për një abonim, “por aksesimi nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar”.
Ndalesa në kancelarinë afër fakultetit është kthyer në rutinë për Erën, studente e vitit të tretë për Gazetari në Universitetin e Tiranës. Çdo javë duhet të fotokopjojë një pirg me detyra kursi, tema, projekte, madje edhe librat e lënë nga profesorët.
“Kam qenë e detyruar që t’i frekuentoj kancelaritë për printime përgjatë gjithë viteve akademike. Projekte shkollore, libra. Nëse nuk kemi mundësi që t`i blejmë librat, pedagogët na e lënë literaturën në kancelaritë pranë universitetit”, – tregon Era, e cila thotë se shpenzon çdo javë 400 lekë për fotokopje dhe printime.
Në vitin 2023 Universiteti i Tiranës arkëtoi 6.2 milionë euro nga tarifat e shkollimit, por ofron vetëm internet për studentët, ndërsa aksesi në printime për nevojat e tyre të studimit nuk ofrohet as në bibliotekën e fakultetit.
